Secondary Adv

Operatorët e transportit të udhëtarëve, tarifë 200 lekë/pasagjer për transmetimin e të dhënave

Qeveria ka miratuar vendimin që detyron operatorët e transportit tokësor, ajror dhe ujor të paguajnë një tarifë prej 200 lekësh për çdo pasagjer, për transmetimin e të dhënave në sistemet e Sektorit të Inteligjencës së Udhëtimit.

Tarifë e re për çdo udhëtim

Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, tarifa do të jetë 200 lekë për pasagjer për vitin e parë dhe do të rishikohet çdo tre vjet, në bazë të kostove reale të shërbimit. Të ardhurat do të përdoren për mbulimin e kostove të transmetimit, transformimit dhe sigurisë së informacionit të udhëtimit. Vendimi zbatohet për të gjithë operatorët që transportojnë udhëtarë në territorin e Shqipërisë, përfshirë linjat tokësore, ajrore dhe detare.

 

Përjashtimet dhe mënyra e zbatimit

Transportuesit do të raportojnë çdo muaj numrin e pasagjerëve të transportuar, ndërsa operatori ekonomik do të lëshojë faturat përkatëse për pagesën e tarifës. Nga kjo detyrim përjashtohen pasagjerët nën moshën 2 vjeç, udhëtimet humanitare dhe transportet shtetërore të misioneve emergjente. Në rastet e defekteve teknike apo emergjencave, operatorët përjashtohen nga sanksionet administrative.

Vendimi do të zbatohet nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, menjëherë pas hyrjes në fuqi.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat